Global Albanian Academics Network
RRJETI GLOBAL I AKADEMIKËVE SHQIPTARË
NJË ZË I PËRBASHKËT PËR DINJITETIN, DEMOKRACINË DHE TË ARDHMEN E VENDIT
HYRJE
Ne, akademikë dhe studiues shqiptarë nga Shqipëria dhe diaspora, të bashkuar nga lidhja me vendin tonë dhe nga përgjegjësia që mbart dija, nuk mund të qëndrojmë indiferentë përballë shqetësimeve të thella që po përjeton shoqëria shqiptare. Përtej dallimeve politike, profesionale apo personale, na bashkon një bindje e thjeshtë: Shqipëria meriton institucione që i shërbejnë qytetarit, një shtet ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë dhe një të ardhme ku puna, meritokracia dhe dinjiteti njerëzor kanë vlerë.
Protesta qytetare është një nga format themelore të shprehjes demokratike. Ajo nuk duhet parë si përplasje mes qytetarëve dhe institucioneve, por si një thirrje për t'u dëgjuar, për t'u reflektuar dhe për të kërkuar përgjegjësi. Kur një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë ngre zërin për problemet që e shqetësojnë, përgjigjja e institucioneve duhet të jetë dëgjimi, transparenca dhe llogaridhënia.
Si akademikë, detyra jonë nuk kufizohet vetëm brenda auditorëve, laboratorëve dhe institucioneve kërkimore. Dija mbart edhe një përgjegjësi qytetare: të vëzhgojmë me kujdes realitetin, të dallojmë problemet nga simptomat dhe të propozojmë zgjidhje të mbështetura në fakte, përvojë dhe interesin publik. Nevoja për një përfshirje më të madhe të akademikëve, intelektualëve dhe ekspertizës së pavarur në debatin publik bëhet edhe më e rëndësishme përballë treguesve aktualë të demokracisë. Shqipëria shënon vetëm 0,38 nga 1 në komponentin e demokracisë deliberative, duke u renditur në vendin e 131-të në botë dhe në nivelin më të ulët në Ballkan.¹ Këto të dhëna përforcojnë nevojën për më shumë debat të informuar, mendim kritik dhe ekspertizë të pavarur në diskutimin dhe vendimmarrjen për çështjet publike.
Për këtë arsye, ne duam të kontribuojmë në mënyrë konstruktive në debatin për të ardhmen e Shqipërisë. Ky dokument është një përpjekje për të identifikuar, në mënyrë të qartë dhe të argumentuar, disa prej problemeve themelore që pengojnë zhvillimin e vendit dhe besimin e qytetarëve tek institucionet e tij. Nuk synojmë të përfaqësojmë asnjë parti politike apo interes të veçantë, por të sjellim në debatin publik një kontribut të pavarur, të mbështetur në dije, evidencë dhe ekspertizë.
Ky është kontributi ynë i parë: të flasim, të dokumentojmë problemet dhe të kërkojmë zgjidhje, sepse besojmë se një Shqipëri më e drejtë, më demokratike dhe më e zhvilluar nuk është vetëm një dëshirë, por edhe një përgjegjësi e përbashkët.
PROBLEMET KRYESORE
Garantimi dhe Fuqizimi i Shtetit të së Drejtës
Shteti i së drejtës në Shqipëri mbetet i cënuar nga korrupsioni sistemik, ndikimi politik mbi sistemin e drejtësisë dhe zbatimi i mangët i ligjit. Gjithashtu, pavarësia e pushteteve në Shqipëri mbetet e brishtë, pasi pushteti ekzekutiv dominon mbi parlamentin dhe ushtron presion të vazhdueshem ndaj sistemit të drejtësisë. Për të garantuar qëndrueshmërinë e shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve, Shqipëria duhet të kalojë nga faza e reformave legjislative në fazën e zbatimit institucional me integritet. Kjo kërkon mbrojtjen e gjyqësorit dhe strukturave si SPAK nga sulmet apo ndërhyrjet politike, rritjen e efikasitetit të gjykatave përmes zgjidhjes së mbingarkesës së dosjeve, si dhe garantimin e transparencës absolute në vendimmarrje, duke siguruar që asnjë individ apo sferë influence të mos qëndrojë mbi ligjin.
Garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe parandalimi i kapjes së shtetit
Përqendrimi afatgjatë i pushtetit dhe mungesa e rotacionit demokratik: Mandati i katërt radhazi i së njëjtës shumicë, i shoqëruar me pabarazi në konkurrencën zgjedhore, zbehjen e kufirit parti–shtet, përqendrimin e theksuar të pushtetit në duart e kryetarit të partisë dhe dobësimin e kundërpeshave institucionale, ngre shqetësime për përqendrimin e pushtetit dhe cilësinë e demokracisë.
Probleme me integritetin dhe barazinë e zgjedhjeve: Raportet e OSCE/ODIHR (2025) evidentojnë një “fushë loje të pabarabartë”, si dhe raste dhe pretendime për blerje votash, presion e frikësim të votuesve, cenim të fshehtësisë së votës dhe përdorim të burimeve publike, ndërsa pavarësia dhe diversiteti i medias vazhdojnë të cenohen nga ndikimi politik, përqendrimi i pronësisë dhe financimi jotransparent.² V-Dem 2026 e klasifikon Shqipërinë si “autokraci zgjedhore”, duke vënë në pikëpyetje konkurrencën e lirë dhe të barabartë.¹
Ndikimi i krimit të organizuar në politikë dhe zgjedhje: Raporti i OSCE/ODIHR (2025) ngre shqetësime për pretendime mbi ndikimin e elementëve kriminalë në zgjedhje në disa zona të vendit, krahas rasteve të blerjes së votës dhe përpjekjeve për të ndikuar në mënyrë të padrejtë votuesit vulnerabël. Raporti evidenton gjithashtu se disa bashkëbisedues të misionit vunë në pikëpyetje efektivitetin e përpjekjeve kundër krimit të organizuar të lidhur politikisht.²
Përdorimi i administratës dhe burimeve shtetërore: OSCE/ODIHR (2025) evidenton keqpërdorimin e burimeve publike dhe pushtetit institucional, si dhe presionin ndaj punonjësve publikë dhe votuesve, duke cenuar barazinë e konkurrimit. Gjatë fushatës u evidentuan gjithashtu aktivitete zyrtare të përfaqësuesve të lartë të qeverisë të ndërthurura me mesazhe elektorale dhe njoftime për programe sociale dhe projekte infrastrukturore, të cilat krijuan avantazh për partinë në pushtet.²
Në përmbledhje, shqetësimi themelor është zbehja e kufirit mes shtetit, partisë dhe interesave kriminale, duke cenuar konkurrencën politike, integritetin zgjedhor dhe standardet demokratike.
Zonat e mbrojtura dhe biodiversiteti
Mbrojtja e zonave natyrore në Shqipëri është cenuar nga presioni në rritje i investimeve turistike dhe infrastrukturore, si dhe nga dobësitë në vlerësimet e ndikimit në mjedis, monitorimin dhe zbatimin e ligjit. Komisioni Europian vlerëson se ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura sollën dobësim të mbrojtjes së natyrës, ndërsa evidenton problematika në Bunë–Velipojë dhe Pishë Poro–Nartë, përfshirë vazhdimin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, si dhe rreziqet që lidhen me zgjatjen e Ligjit për Investimet Strategjike dhe zhvillimet në territore me vlerë të lartë ekologjike.³
Kjo çështje ka marrë peshë të drejtpërdrejtë edhe në procesin e integrimit europian. Parlamenti Europian ka kërkuar kthimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, rishikimin e projektit të devijimit të ujit të Shushicës, trajtimin e çështjes së Aeroportit të Vlorës në kuadër të Kapitullit 27, mbrojtje më të fortë të Parkut Kombëtar të Vjosës dhe habitateve të rrëqebullit të Ballkanit, si dhe heqjen dorë nga projekti i hidrocentralit të Skavicës, për shkak të ndikimeve ekologjike, sociale dhe kulturore, përfshirë zhvendosjen e komuniteteve lokale.⁴ Në këtë kuadër, Ligji nr. 21/2024, investimet strategjike dhe projektet me ndikim të lartë mjedisor, transparenca e vendimmarrjes dhe cilësia e vlerësimeve mjedisore kërkojnë vëmendje të veçantë, me synim mbrojtjen afatgjatë të biodiversitetit me rëndësi të veçantë për ekosistemet shqiptare dhe përputhjen e plotë me standardet e BE-së.
Liria dhe pavarësia e medias
Kapja e medias, censura e tërthortë, presioni politik dhe propaganda po e kërcënojnë gjithnjë e më shumë rolin demokratik të medias në Shqipëri. Në vend që të luajë rolin e “pushtetit të katërt” dhe mbikëqyrësit të pushtetit, media shqiptare po bëhet gjithnjë e më pak e pavarur, duke humbur lirinë editoriale dhe pluralizmin. Si pasojë, dobësohet aftësia e saj për të garantuar llogaridhënien, debatin publik dhe për të kontribuar në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.⁵ ⁶ ⁷ Këto shqetësime mbështeten edhe nga raportet e institucioneve ndërkombëtare. Komisioni Europian (2024) konstatoi se nuk kishte pasur progres në fushën e lirisë së shprehjes, duke evidentuar përqendrimin e pronësisë së medias, ndërthurjen e interesave të biznesit me politikën, mungesën e transparencës së financimit dhe intimidimin e gazetarëve.⁸
OSCE/ODIHR (2025) evidentoi ndikimin mbi pavarësinë editoriale, vetëcensurën, probleme me pavarësinë de facto të institucioneve rregullatore dhe kufizimin e aksesit të gazetarëve te përfaqësuesit e qeverisë.² RSF ngriti shqetësime për presionin politik, ekonomik dhe ligjor mbi median dhe gazetarët, përfshirë gazetarët që hetojnë krimin dhe korrupsionin.⁹ BIRN/SCiDEV, në raportin për vitin 2024, dokumenton vazhdimin e presionit dhe intimidimit të gazetarëve, kufizimet në aksesin në informacion dhe probleme strukturore që ndikojnë lirinë dhe pluralizmin e medias.¹⁰ Media Ownership Monitor (2023) e klasifikon përqendrimin e audiencës dhe të tregut mediatik si rrezik të lartë, si dhe kontrollin politik mbi mediat si rrezik të lartë për lirine dhe pavaresine e medias.¹¹
Depolitizimi, integriteti dhe mirëfunksionimi i administratës dhe institucioneve publike
Administrata dhe institucionet publike në Shqipëri vazhdojnë të përballen me problematika që lidhen me politizimin, mungesën e integritetit institucional, pjesëmarrjen e kufizuar qytetare, dobësitë në koordinimin ndërinstitucional dhe vendimmarrjen strategjike, si dhe me disparitetet territoriale e fiskale dhe hendekun ndërmjet legjislacionit dhe zbatimit të tij.³ ¹² Këto dobësi cenojnë efikasitetin dhe profesionalizmin e administratës, dobësojnë besimin e qytetarëve tek institucionet dhe pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Forcimi i një administrate profesionale, të depolitizuar, transparente dhe të përgjegjshme kërkon zbatimin e parimit të meritokracisë, rritjen e integritetit dhe llogaridhënies institucionale, përmirësimin e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe krijimin e mekanizmave më efektivë për pjesëmarrjen qytetare në vendimmarrje.³ ¹²
Forcimi i meritokracisë, transparencës dhe integritetit në sistemin akademik
Sistemi arsimor dhe akademik në Shqipëri përballet me sfida që lidhen me ndikimin politik, mungesën e meritokracisë, favorizimin, politikat e paqëndrueshme dhe mungesën e llogaridhënies. Në sistemin akademik, praktikat jo të drejta dhe jo konkurruese të punësimit dhe ndikimi i lidhjeve politike apo personale rrezikojnë të lënë mënjanë profesionistët e kualifikuar dhe të cenojnë besueshmërinë e institucioneve. Sistemi arsimor përballet gjithashtu me metoda të vjetruara të mësimdhënies, investime të pamjaftueshme dhe largimin e profesionistëve të talentuar jashtë vendit.
Një sfidë e veçantë mbetet kërkimi shkencor dhe financimi i tij. Raporti i Komisionit Europian (2025) vlerëson se shpenzimet publike për kërkim dhe zhvillim mbeten të kufizuara në rreth 0.19% të PBB-së, dukshëm nën objektivin kombëtar prej 1% të PBB-së deri në vitin 2030³. Financimi i pamjaftueshëm kufizon kapacitetet kërkimore, zhvillimin e infrastrukturës shkencore dhe mundësitë për studiuesit. Përparimi kërkon transparencë, punësim dhe vendimmarrje të bazuar në meritë, politika të qëndrueshme afatgjata, rritjen e investimeve në kërkimin shkencor dhe forcimin e cilësisë dhe ekselencës në arsim dhe akademi.
Shpopullimi dhe humbja e kapitalit njerëzor
Shqipëria po përballet me tkurrje të vazhdueshme demografike, emigrim të lartë dhe humbje të kapitalit njerëzor, me pasoja për tregun e punës dhe zhvillimin afatgjatë. Popullsia banuese ra nga rreth 2,82 milionë në vitin 2011 në 2,40 milionë në 2023, rreth 420 mijë banorë më pak¹³; më 1 janar 2025 ajo ishte 2.363.314, 1,2% më pak se një vit më parë, ndërsa migracioni neto në 2024 ishte -28.836 persona.¹⁴ Veçanërisht shqetësues është largimi i kapitalit të kualifikuar: emigrimi i punonjësve të kualifikuar po thellon mungesat në sektorë kyç dhe “largimin e trurit” (brain drain)³, ndërsa OECD (2021) evidenton humbje të aftësive teknike në IT e telekomunikacion, menaxhim e zgjidhje problemesh, si dhe në profesionet shëndetësore.³ Rreth 24% e të rinjve 15–29 vjeç ishin jashtë punësimit, arsimit ose trajnimit (NEET) në 2023, mbi mesataren e BE-së, ndërsa arsimi mbetet i papërshtatur mjaftueshëm me tregun e punës dhe investimet publike në kërkim e zhvillim janë nën objektivat kombëtare.¹⁵ Kështu, vendi humbet fuqi punëtore të re e të kualifikuar, ndërkohë që has vështirësi në krijimin e kapitalit njerëzor për një ekonomi produktive dhe inovative.
Tkurrja e fuqisë punëtore, largimi i profesionistëve dhe plakja demografike rrezikojnë bazën e kontribuesve, produktivitetin, inovacionin dhe konvergjencën ekonomike me BE-në, duke kërkuar politika të integruara për punësimin dhe pagat, arsimin, kërkimin dhe inovacionin, mbështetjen e familjeve dhe të rinjve, si dhe qëndrimin, rikthimin dhe angazhimin e kapitalit njerëzor në vend. Përshpejtimi i plakjes rrit presionin mbi pensionet: vetëm 46% e popullsisë në moshë pune kontribuon në skemë dhe pensioni mesatar përbën rreth 32% të pagës kontributive. Deri në vitin 2060, 29% e popullsisë mund të jetë mbi moshën e pensionit pa migracion dhe rreth 34% kur emigrimi merret parasysh.¹⁶
Prioritizimi, transparenca dhe llogaridhënia në përdorimin e fondeve publike
Përdorimi i fondeve publike duhet të udhëhiqet nga nevojat prioritare të vendit, transparenca dhe vlerësimi i përfitimit afatgjatë socio-ekonomik. Në këtë kuadër, shqetësim të veçantë përbëjnë kostot e larta të projekteve të infrastrukturës publike, veçanërisht ndërtimi dhe rikonstruksioni i rrugëve, ku në raste të caktuara kostot për kilometër rezultojnë dukshëm më të larta se në projekte të krahasueshme në vende të tjera europiane. Kjo ngre pikëpyetje mbi mënyrën e përllogaritjes së kostove, procedurat e prokurimit, nivelin e konkurrencës, transparencën dhe raportin kosto–përfitim. Shqetësime të ngjashme lidhen edhe me projekte dhe blerje të tjera me kosto të lartë, përfshirë shërbimet satelitore dhe prokurimet ushtarake, kur mungon një argumentim i mjaftueshëm publik mbi nevojën, koston reale, përfitimin afatgjatë dhe ndikimin e tyre në zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit.
Nevoja për një menaxhim më efikas dhe transparent të financave publike mbetet aktuale. Transparenca fiskale, cilësia e shpenzimeve dhe prioritizimi i investimeve publike kërkojnë forcim të mëtejshëm. Veçanërisht problematik mbetet përdorimi i propozimeve të pakërkuara në partneritetet publike-private (PPP), të cilat përbëjnë rreth 80% të portofolit aktual, duke ngritur shqetësime për transparencën, konkurrencën dhe përdorimin efikas të fondeve publike.¹⁷
Përmirësimi kërkon transparencë më të madhe në vendimmarrje, vlerësim të qartë të kostove dhe përfitimeve, procedura konkurruese dhe llogaridhënie për mënyrën se si përdoren fondet publike, duke orientuar burimet drejt sektorëve me ndikim të qëndrueshëm në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve
Riorganizimi, diversifikimi i ekonomisë dhe mbështetja e sektorëve prodhues
Raporti i Bankës Botërore i vitit 2026 18 vë në dukje se rritja ekonomike ne Shqipëri është mbështetur veçanërisht nga turizmi, shërbimet dhe ndërtimi, ndërsa bujqësia, prodhimi dhe industritë nxjerrëse kanë pasur dobësi. Banka Botërore thekson gjithashtu bazën e ngushtë të eksporteve dhe nevojën për diversifikimin e ekonomisë. Sipas Bankës Botërore dhe IFC-së (2022), përqendrimi i prodhimit dhe eksporteve në një numër të kufizuar sektorësh e ekspozon Shqipërinë më shumë ndaj goditjeve të jashtme dhe nënvizon nevojën për diversifikimin e ekonomisë. ¹⁹
Turizmi është sezonal, nuk siguron të ardhura të qëndrueshme gjatë gjithë vitit dhe nuk krijon një gamë të gjerë vendesh pune dhe specialitetesh. Ndërtimi, ndërkohë, mbështetet shpesh nga flukset hyrëse të kapitalit, origjina e të cilave jo gjithmonë është e qartë dhe e verifikuar nga autoritetet. Diversifikimi i ekonomisë përmes zhvillimit të industrisë së lehtë (psh. industria tekstile në gamën e mesme dhe të lartë, industria ushqimore dhe e detergjentëve, industria e prodhimit të barnave dhe preparateve farmaceutike) dhe të disa sektorëve strategjikë të industrisë së rëndë (p.sh. prodhimi i pjesëve mekanike dhe industriale, prodhimi i automjeteve për marka dhe gama të caktuara, përpunimi i metaleve dhe mineraleve, prodhimi i materialeve elektrike ose i përbërësve të caktuar elektronikë, industria e riciklimit etj.) do të ulte varësinë nga importet dhe çmimet e një sërë produktesh industriale, do të rriste eksportet dhe do të krijonte vende pune të kualifikuara (inxhinjerë, kimistë, IT, ekonomistë, teknikë të mesëm etj.). Sektorë të tjerë, si shërbimet e teknologjisë së informacionit (IT), duhet gjithashtu të zhvillohen përmes lehtësirave fiskale dhe politikave mbështetëse.
Gjithashtu, duhet forcuar autonomia ushqimore përmes subvencioneve dhe financimeve me kushte të favorshme për bujqësinë, përfshirë mundësinë e një banke publike financimi. Kjo do të rriste prodhimin vendas, nje pjesë e të cilit mund të eksportohej (psh. në gamën Bio, bimë medicinale), do të forconte sigurinë ushqimore si dhe do ti shërbente sektorit të turizmit.
Zhvillimi i inovacionit, startup-eve dhe sipërmarrjes
Ekosistemi i startup-eve dhe sipërmarrjes në Shqipëri mbetet i dobët dhe i fragmentuar, me akses të kufizuar në financim dhe kapital sipërmarrës, mbijetesë e ulët për startup-et dhe mungesë mbështetjeje të vazhdueshme nga krijimi i biznesit deri te rritja dhe dalja në tregjet vendase dhe ndërkombëtare. Vetëm 40% e startup-eve mbijetojnë për një periudhë pesë vjecare, ndërsa mbështetja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ekzistuese mbetet e pamjaftueshme. Mungesa e transparencës dhe rreziku i keqpërdorimit të fondeve publike dhe granteve, pabarazia në akses dhe përzgjedhje, si dhe mungesa e mbështetjes reale për sipërmarrësit e rinj cenojnë konkurrencën dhe inovacionin, duke kufizuar mundësitë e të rinjve për të ndërtuar dhe zhvilluar biznese të reja në Shqipëri. Përmes Startup Albania janë alokuar 300 milionë lekë nga buxheti i shtetit, çka kërkon transparencë të plotë mbi përfituesit, shumat, kriteret, komisionet përzgjedhëse dhe rezultatet e financimeve.²⁰ Ekosistemi dhe mbështetja janë të përqendruara kryesisht në Tiranë, duke krijuar pabarazi territoriale dhe duke kufizuar për të rinjtë në rajone aksesin në financim, rrjete, mentorim dhe mundësi për zhvillimin e bizneseve.
Inovacioni mbetet një pikë e dobët, me performancë nën mesataren europiane dhe lidhje të pamjaftueshme ndërmjet kërkimit shkencor, teknologjisë dhe biznesit. Sipas Komisionit Europian, performanca e inovacionit në Shqipëri ra nga 41,7% e mesatares së BE-së në vitin 2024 në 37,9% në vitin 2025, duke e mbajtur Shqipërinë në kategorinë e “inovatorëve në zhvillim”.³
Mbrojtja dhe administrimi i interesit publik në asetet strategjike dhe mobilizimi i kapitalit vendas
Asetet strategjike dhe burimet natyrore - përfshirë portet, aeroportet, minierat, infrastrukturën rrugore dhe energjetike, tokat bujqësore, burimet ujore, pyjet, kullotat, zonat malore dhe bregdetare, duhet të mbeten në pronësi ose nën kontrollin efektiv të shtetit shqiptar dhe nuk duhet të shiten apo t’u transferohen investitorëve të huaj përmes koncesioneve afatgjata ose marrëveshjeve të tjera që mund të cenojnë interesin kombëtar. Ruajtja e kontrollit shtetëror mbi këto asete do t’i mundësonte Shqipërisë të forconte sovranitetin e saj ekonomik, të mbronte interesin kombëtar dhe të siguronte që pasuritë strategjike të vendit të shërbenin për zhvillimin afatgjatë të ekonomisë shqiptare. Njëkohësisht, administrimi i tyre në interes të vendit do të mundësonte që Shqipëria të shfrytëzonte më mirë pozicionin e saj gjeo-strategjik dhe burimet natyrore, duke fituar një rol më të rëndësishëm në rajon dhe në rrjetet strategjike europiane dhe globale. Është gjithashtu e rëndësishme që investimet dhe aktivitetet ekonomike që lidhen me asetet strategjike të vendit t’i nënshtrohen auditimeve të rregullta dhe transparente nga institucione të pavarura, me qëllim garantimin e interesit publik dhe parandalimin e keqadministrimit.
Paralelisht, si plotësues i investimit shtetëror dhe financimit nga sektori bankar brenda territorit të Shqipërisë, duhet të nxitet krijimi i fondeve të investimit të financuara përmes kursimeve të shtetasve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit. Kjo do të mundësonte mobilizimin e kapitalit vendas për investime strategjike dhe zhvillimore, duke i bërë këto investime më pak të varura nga kapitalet dhe interesat e huaja. Këto fonde duhet të krijohen dhe administrohen nga banka dhe kompani financiare serioze, të licencuara dhe që operojnë brenda vendit, nën mbikëqyrjen e Bankës së Shqipërisë dhe të një autoriteti të posaçëm për mbikëqyrjen e tregjeve financiare.
Forcimi i sistemit shëndetësor dhe vendimmarrjes së bazuar në evidencë
Sistemi shëndetësor në Shqipëri përballet me mungesë të instrumenteve epidemiologjike, si regjistrat specifikë për patologji të ndryshme, dhe me një hendek ndërmjet zbulimeve më të fundit shkencore dhe zbatimit të tyre në praktikën klinike, sipas parimeve të mjekësisë së bazuar në evidencë. Problem mbeten gjithashtu infrastruktura shëndetësore e vjetruar dhe menaxhimi i fondeve publike, nga shërbimi parësor deri te trajtimet dytësore dhe specialistike. Përqendrimi i specialistëve dhe i logjistikës së nevojshme në Tiranë sjell fluks të lartë të kërkesës për trajtim specialistik në spitalet e kryeqytetit, si QSUT dhe Spitali i Traumës, duke evidentuar mungesën e shpërndarjes së tyre të përshtatshme në rrethe.
Qasja e barabartë në barna dhe vendimmarrja shëndetësore e bazuar në evidencë kërkon forcimin e vlerësimit transparent të barnave, teknologjive shëndetësore dhe skemave të rimbursimit, në mënyrë që qytetarët të kenë akses në kohë dhe të barabartë në trajtime të sigurta, efektive dhe me vlerë të provuar. Përafrimi me standardet europiane të farmakovigjilencës, monitorimit të rezultateve dhe përdorimit racional të barnave do të përmirësonte mbrojtjen e pacientit dhe besimin në institucionet shëndetësore.
Në fushën akademike të shëndetësisë, mungesa e laboratorëve shkencorë specifikë në universitetet publike dhe e financimeve të posaçme për kërkimin shkencor kufizon punën kërkimore, duke e përqendruar aktivitetin akademik kryesisht në mësimdhënie dhe duke lënë në plan të dytë misionin kërkimor të universiteteve.
Zhvillimi i pabarabartë dhe jo plotësisht i integruar i digjitalizimit në Shqipëri
Pavarësisht progresit të dukshëm të Shqipërisë në ofrimin e shërbimeve digjitale, transformimi nuk është zhvilluar në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë sektorët dhe as nuk është plotësisht i integruar. Ende ekzistojnë boshllëqe në përdorimin e pagesave elektronike, digjitalizimin e bizneseve, aftësitë digjitale, aksesin dhe përdorimin e shërbimeve elektronike, si dhe në sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave. Komisioni Evropian (2025) evidenton ende ekzistencën e një digital divide dhe nevojën për të rritur aftësinë e qytetarëve për të përdorur në mënyrë të pavarur shërbimet elektronike, si dhe për të forcuar më tej kapacitetet e sigurisë kibernetike.³ Edhe të dhënat e Bankës Botërore (2025) tregojnë se përdorimi i parasë fizike vazhdon të ketë një rol të rëndësishëm në sjelljen e pagesave.²¹
Një çështje veçanërisht e rëndësishme është dallimi ndërmjet një shërbimi që është online dhe një procesi që është realisht end-to-end digital. SIGMA (2025) vlerëson se rreth 95% e shërbimeve administrative të qeverisë qendrore në Shqipëri ofrohen në mënyrë elektronike, por njëkohësisht evidenton mangësi në zbatimin praktik të interoperabilitetit dhe parimit once-only. Në procedura të analizuara, si lejet e punës për të huaj, lejet e ndërtimit, pensionet e invaliditetit dhe licencat e taksive, qytetarëve vazhdojnë t’u kërkohen në raste të caktuara të dhëna ose dokumente që administrata mund t’i sigurojë nga institucione të tjera; disa procese gjithashtu mund të iniciohen online, por kërkojnë ende ndërveprim fizik për t’u përfunduar.¹² Kjo tregon se niveli i lartë i shërbimeve online nuk përkthehet automatikisht në procese plotësisht paperless, interoperabile dhe të automatizuara.
Rasti i e-Inspektimit është veçanërisht domethënës. Megjithëse digjitalizimi i inspektimeve ka filluar prej më shumë se një dekade dhe sistemi elektronik tashmë përdoret gjerësisht, Raporti i Përgjithshëm i Inspektimeve për vitin 2024 evidenton raste ku ecuria e masave administrative, statusi i ankimeve ose pagesave, dokumentet që iniciojnë procedurën dhe veprime të caktuara të inspektimit nuk pasqyrohen plotësisht në sistem.²² Kjo tregon se edhe procese të digjitalizuara prej vitesh mund të mbeten hibride. Këto boshllëqe nuk përbëjnë në vetvete dëshmi të korrupsionit, por mund të rrisin diskrecionin individual, të dobësojnë gjurmueshmërinë dhe auditueshmërinë dhe të krijojnë hapësira për trajtim jo të njëtrajtshëm. Për këtë arsye, nevojitet një studim më i thelluar për të identifikuar ku ndërpritet zinxhiri digjital, pse ndodh kjo dhe në çfarë mase këto boshllëqe ndikojnë në efikasitetin, transparencën dhe ekspozimin ndaj rrezikut të korrupsionit.
Mjedisi, menaxhimi i mbetjeve dhe zhvillimi i nje ekonomie “qarkulluese”
Mbrojtja e mjedisit në Shqipëri përballet me dobësi në zbatimin dhe kontrollin e legjislacionit mjedisor, cilësinë e ajrit dhe ujërave, si dhe menaxhimin e mbetjeve. Sipas Komisionit Europian (2025), kapacitetet institucionale për planifikimin dhe investimet mjedisore mbeten të dobëta, ndërsa problematika vazhdojnë edhe në zbatimin dhe monitorimin e vlerësimeve të ndikimit në mjedis.³ Veçanërisht problematik mbetet niveli i ulët i riciklimit, i cili sipas Agjencisë Europiane të Mjedisit ishte vetëm 18.9% në vitin 2022,²³ ndërsa mbetjet vazhdojnë të përfundojnë edhe në vendgrumbullime të paligjshme, të digjen ose të hidhen në lumenj, duke ndotur ajrin, tokën dhe rrjedhat ujore.²⁴ Zhvillimi ekonomik, turistik dhe infrastrukturor duhet të kushtëzohet nga respektimi i standardeve mjedisore dhe parimit të zhvillimit të qëndrueshëm, veçanërisht në zonat e mbrojtura, ku Komisioni Europian (2025) ka ngritur shqetësime për ndikimin e ndryshimeve ligjore dhe zhvillimeve turistike e infrastrukturore.³ Gjithashtu, për t’iu afruar standardeve europiane, Shqipëria duhet të zhvillojë një ekonomi qarkulluese dhe një industri të trajtimit dhe riciklimit të mbetjeve, të mbështetur nga fondet shtetërore; sipas EEA-së (2025), vendi ndodhet ende në fazat fillestare të tranzicionit drejt ekonomisë qarkulluese.²⁵ Kjo do të krijonte një sektor të ri industrial dhe vende të reja pune, do të ulte nevojën për lëndë të para dhe do të reduktonte ndotjen, duke sjellë përfitime afatgjata ekonomike, sociale dhe mjedisore dhe duke mbrojtur natyrën dhe biodiversitetin, klimën, burimet natyrore dhe shëndetin e popullsisë.
Në Shqipërinë e tranzicionit paskomunist është konsoliduar një model politik dhe ekonomik i karakterizuar nga patronazhi, klientelizmi dhe elementë të kapjes së shtetit. Përqendrimi i pushtetit ekonomik dhe politik është shoqëruar me zbatim të dobët dhe përzgjedhës të ligjit, pasiguri të të drejtave të pronës, informalitet, ndikim të burimeve financiare me origjinë kriminale dhe konkurrencë të kufizuar në tregje. Dobësitë e këtij modeli reflektohen si në administrimin e burimeve të përbashkëta natyrore, ashtu edhe në zhvillimin dhe përdorimin e kapitalit njerëzor dhe fizik. Duke njohur rolin themelor të institucioneve në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien shoqërore, Shqipëria ka nevojë për një model të ri zhvillimi, të mbështetur në institucione gjithëpërfshirëse, sundimin e ligjit, konkurrencën e ndershme, meritokracinë dhe administrimin e përgjegjshëm të burimeve. Një transformim i tillë është thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm, mirëqenien afatgjatë dhe përmbylljen e tranzicionit të tejzgjatur të vendit.
Këto janë vetëm disa nga çështjet që kërkojnë analizë të mëtejshme. Kjo deklaratë synon të evidentojë disa prej shqetësimeve kryesore, ndërsa trajtimi i tyre i plotë kërkon punë të thelluar kërkimore dhe akademike, të mbështetur në evidenca dhe burime të verifikueshme. Kjo punë do të zhvillohet në kuadrër të konferencës “Shqipëria 2026 - Demokracia, Institucionet dhe Integrimi Evropian në Udhëkryq” dhe do të kontribuojë në hartimin e Raportit “Shqipëria 2026”. Akademikët, studiuesit dhe ekspertët që dëshirojnë të kontribuojnë, ftohen të regjistrohen në gaan-albania.org.
NËNSHKRUESIT E DEKLARATËS
Akademikët e diasporës dhe Shqipërisë të renditur më poshtë mbështesin parimet, shqetësimet dhe rekomandimet e shprehura në këtë Deklaratë:
Shënim: Nënshkruesit e kësaj deklarate shprehin pikëpamjet dhe qëndrimet e tyre të pavarura dhe nuk përfaqësojnë institucionet apo organizatat ku punojnë ose me të cilat janë të afiliuar.
Nënshkruaj Deklaratën:
Nëse je akademik/e ose studiues/e shkencor/e i/e diasporës ose i/e Shqipërisë dhe mund ta nënshkruash këtë Deklaratë duke plotësuar të dhënat e mëposhtme. Pas verifikimit të të dhënave, do të njoftoheni me e-mail për publikimin e nënshkrimit tuaj.
Referencat
- 1.V-Dem Institute. (2026). Democracy report 2026: Unraveling the democratic era? University of Gothenburg.
- 2.OSCE/ODIHR. (2025). Albania, parliamentary elections, 11 May 2025: Election observation mission final report. Office for Democratic Institutions and Human Rights.
- 3.European Commission. (2025). Albania report 2025. Directorate-General for Enlargement and Eastern Neighbourhood.
- 4.European Parliament. (2025). Resolution of 9 July 2025 on the 2023 and 2024 Commission reports on Albania.
- 5.McQuail, D. (2010). Mass communication theory (6th ed.). SAGE Publications.
- 6.Schudson, M. (2008). Why democracies need an unlovable press. Polity.
- 7.Habermas, J. (1991). The structural transformation of the public sphere: An inquiry into a category of bourgeois society. The MIT Press.
- 8.European Commission. (2024). Albania report 2024. Directorate-General for Neighbourhood and Enlargement Negotiations.
- 9.Reporters Without Borders. (2023). Albania – 2023 country profile.
- 10.BIRN Albania & SCiDEV. (2026). Annual report 2025: Tracking Albania’s progress on media freedom and journalistic safety in line with European Union standards.
- 11.Media Ownership Monitor. (2023). Albania 2023 – Indicators of risks to media pluralism. Reporters Without Borders & Global Media Registry.
- 12.OECD/SIGMA. (2025). Public administration in Albania 2024: Assessment against the principles of public administration. OECD Publishing.
- 13.INSTAT. (2024). Census of population and housing 2023. Institute of Statistics of Albania.
- 14.INSTAT. (2025). Population of Albania, 1 January 2025. Institute of Statistics of Albania.
- 15.OECD. (2021). Competitiveness in South East Europe 2021: A policy outlook. OECD Publishing.
- 16.World Bank. (2025). Albania public finance review: Enhancing fiscal sustainability for resilience and human development. World Bank.
- 17.International Monetary Fund. (2025). Albania: 2025 Article IV consultation - Press release; and staff report (IMF Country Report No. 25/345).
- 18.World Bank. (2026). Western Balkans regular economic report (No. 29, Spring 2026).
- 19.World Bank & International Finance Corporation. (2022). Albania country private sector diagnostic: Creating markets to unlock private sector growth. World Bank Group.
- 20.OECD. (2026). SME policy index: Western Balkans and Türkiye 2026 – Economy profile for Albania. OECD Publishing.
- 21.World Bank. (2025). The Global Findex Database 2025: Connectivity and financial inclusion in the digital economy - Albania 2024.
- 22.Inspektorati Qendror. (2025). Raporti i përgjithshëm i inspektimeve për vitin 2024. Republika e Shqipërisë.
- 23.European Environment Agency. (2025a). Total waste generation - Albania. Europe’s environment 2025.
- 24.OECD. (2021). Multi-dimensional review of the Western Balkans: Assessing opportunities and constraints. OECD Publishing.
- 25.European Environment Agency. (2025b). Circular material use rate – Albania. Europe’s environment 2025.
